Protagonizmi i papritur i Ermal Hasimjas
Ermal Hasimja ishte zhdukur nga skena publike, të paktën nga debati politik, që ku u largua nga detyra si këshilltar i Sali Berishës, në kohën kur ky i fundit ishte kryeministër.
Por papritur, emri i tij nisi të qarkullonte para disa muajsh, si kandidat i mundshëm i PD-së për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e parakohshme që pritej të mbaheshin, pas arrestimit të Erion Veliajt.
Në fund, Berisha vendosi si kandidat komedianin Florian Binaj, që punon në televizionin e familjes së tij.
Kjo nuk e dëshpëroi Hasimjan, por me sa duket, zgjoi tek ai dëshirën për të lënë mësimdhënien, me të cilën është marrë gjithë këto vite, për t’u marrë me politikën e madhe.
Së fundmi ka krijuar dhe një Forum për Dialogun Politik, me të cilin kërkon të bashkojë opozitën rreth PD-së.
Nismë që është kundërshtuar qartazi nga Agron Shehaj dhe Arlind Qori, ndërsa Adriatik Lapaj, deri më tani është i pavendosur.
Nuk dihet nëse kjo është një lëvizje e ideuar nga vetë Hasimja apo në skenë qendron dikush tjetër.
Se vështirë që mund të besohet, se ai u kujtua papritur vetë, për t’i hyrë politikës. (Thuaje.al)