28 Mars, 2026

“Jam e lumtur të mbroj vendin tim” – Olimpistja nga Groenlanda sfidon Trump

 “Jam e lumtur të mbroj vendin tim” – Olimpistja nga Groenlanda sfidon Trump

Në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026 nuk valëvitet zyrtarisht flamuri i Groenlandës, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njeh vetëm shtetet sovrane dhe Groenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës.

Megjithatë, flamuri i saj, Erfalasorput, ishte i pranishëm në tribunat e Anterselva Biathlon Arena, i valëvitur nga tifozë danezë që mbështesnin dy sportistët e vetëm groenlandezë në garë.

Bëhet fjalë për motër e vëlla, Ukaleq dhe Sondre Slettemark, të lindur në Nuuk dhe të rritur mes Groenlandës dhe Norvegjisë, ku prindërit e tyre – gjithashtu biatlonistë – i njohën me sportin që në fëmijëri.

24-vjeçarja Ukaleq, e cila u rendit e 52-ta në garën e 15 kilometrave për femra, është kthyer në një figurë simbolike për vendin e saj në një moment delikat politik. “Nëse ka vetëm një person nga Groenlanda që të gjithë e njohin, jam e lumtur të mbroj vendin tim dhe t’u tregoj njerëzve kush jemi dhe ku ndodhemi në hartë,” u shpreh ajo pas garës.

Pjesëmarrja e tyre këtë vit ka marrë një domethënie të veçantë, mes pasigurive të shkaktuara nga deklaratat e ish-presidentit amerikan Donald Trump për ambicie ndaj ishullit arktik. Ministrja e Sportit, Kulturës, Arsimit dhe Çështjeve Fetare e Groenlandës, Nivi Olsen, e pranishme në tribunë, tha se shumë qytetarë ndihen të shqetësuar.

“Jeta është e vështirë në Groenlandë. Njerëzit janë të frikësuar. Nuk mund të blesh njerëz, nuk mund të blesh një vend. Groenlanda është shtëpia jonë”, u shpreh ajo, duke theksuar se, pavarësisht sfidave, ekziston shpresë dhe unitet.

Ukaleq ka përqafuar rolin e ambasadores jozyrtare. Ajo garoi me një kostum të dizajnuar nga vetë ajo dhe i vëllai, i frymëzuar thellësisht nga kultura groenlandeze: me motive të dritave veriore, elemente të tatuazheve tradicionale femërore “kakiorneq” dhe një kombinim simbolik të flamurit të Groenlandës me shënjestrat e biathlonit. Në duar mbante doreza prej lëkure foke të prodhuara në vendin e saj.

Prej vitesh, Groenlanda kërkon njohje të veçantë nga IOC dhe merr pjesë me ekipe të pavarura në Island Games dhe Arctic Winter Games. Megjithatë, aktualisht sportistët garojnë nën flamurin danez.

“Ëndrra e çdo groenlandezi është pavarësia në një të ardhme të largët. Por tani për tani jam e lumtur të garoj për Danimarkën. Ndihem se përfaqësoj si Groenlandën, ashtu edhe Danimarkën,” tha ajo.

E pyetur nëse mund ta imagjinojë veten një ditë duke garuar për Shtetet e Bashkuara, përgjigjja e saj ishte e prerë: “Jo. Kurrë”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *