28 Mars, 2026

Kur fantazia tejkalon logjikën

 Kur fantazia tejkalon logjikën

Skenar për gjakderdhje dhe për ekzekutim qytetarësh. Sali Berisha artikuloi këtë akuzë për Edi Ramën pas protestës së 10 Shkurtit, ku pas përleshjeve me policinë u plagosën disa qytetarë dhe efektivë të forcave të rendit.

Në një konferencë për mediat, lideri demokrat tha se qytetarët ishin paqësorë duke shtuar se kanë mirënjohjen e tij të gjithë ata që ishin në shesh.

“Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes. Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh”, tha Berisha.

Protestën e konsideron si një akt historik të opozitarëve, dhe sipas tij Edi Ramës iu dha një mesazh i qartë nga qytetarët.

“Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më parë”, shtoi Berisha.

Berisha u doli në krah edhe mediave, duke akuzuar forcat e rendit se kanë përdorur jo vetëm ujë dhe gaz kundër gazetarëve por edhe lëndë piroteknike.

“Edi Rama donte gjak për të shpëtuar plaçkën që ka vjedhur vetë dhe Lubinë. Gazetarëve u hodhën me qëllim sasi të mëdha gazi me qëllim që të mos kryenin dot detyrat e tyre. Ndaj një operatori të News24 është hedhur mjet piroteknik”.

Berisha, në konferencë për shtyp deklaroi se asnjë polic nuk është lënduar në protestën e djeshme të opozitës, duke shtuar se “i kanë dërguar në spitale për të plotësuar skenarin”.

“Përveç kësaj, faqja e zezë e këtij skenari ishte loja me barrela dhe policë. Siç i patë ju, i hidhnin gaz vetë policëve dhe i fusnin në ambulancë. Evidente. Si të asfiksuar.

Mbrëmë, unë kam shkuar vetë tek Spitali i Traumës. Këta njoftonin se shtatë policë janë në Spitalin e Traumës. Asnjë i vetëm nuk ishte. Personeli mjekësor më njoftoi se aty kishin shkuar 5 policë, i kishin dërguar, pa asnjë problem.

Dhe ata nuk kishin asnjë lloj shqetësimi, nuk ishin as regjistruar, por ishin kthyer siç kishin ardhur. Nuk kishte asnjë polic të plagosur. Gjithçka skenar. Që edhe mund të ndodhte, por asnjë të gërvishtur. I kanë dërguar në spital vetëm për të plotësuar skenarin”, tha Berisha.

“Meqenëse aty doli që nuk kishte asnjë dhe unë i denoncova menjëherë, dhanë komunikatën tjetër që kanë shkuar në dy spitale. Gënjeshtër. Asnjë polic nuk është gërvishtur, kur janë qëlluar me plumb në ballë protestuesit paqësorë.

Një mirënjohje të pakufishme për mediat që e përcollën minutë pas minute kryengritjen paqësore të fuqishme të shqiptarëve në Tiranë. Dhe po kaq mirënjohje medieve ndërkombëtare, të cilat ishin në një ndjekje absolute të kësaj revolte dhe e jehonuan atë në mbarë botën.

Të gjitha këto dëshmojnë se është populli opozitar ai që do përmbysë këtë narkodiktaturë dhe se 20 shkurti, shqiptarët mezi po presin si orën e tyre, si ditën e tyre”, shtoi Berisha.

Tani mirë është që Berisha del e flet, por ndoshta dikush duhet t’i thotë që njerëzit nuk janë dele dhe besojnë çdo marrëzi. Ka ikur ajo kohë.

Aq më tepër që tani transmetohet çdo gjë live.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *