28 Mars, 2026

NATO tërhiqet nga komandat jugore dhe veriore, Ballkani hyn në heshtjen strategjike

 NATO tërhiqet nga komandat jugore dhe veriore, Ballkani hyn në heshtjen strategjike

Nga Baton Haxhiu

Në Mynih, ndërsa Konferenca e Sigurisë po nis diskutimet për arkitekturën e re të sigurisë globale, lajmi që vjen nga selia e NATO-s e bën të qartë se ajo që u paralajmërua një vit më parë nga Washingtoni nuk ishte retorikë diplomatike, por paralajmërim për një ndryshim real.

Përpara se të dëgjohen fjalimet, struktura e Aleancës po flet vetë.

Aleanca e NATO-s njoftoi më 6 shkurt 2026 se aleatët evropianë do të marrin role udhëheqëse në strukturën e komandës, duke përfshirë kalimin e Joint Force Command Naples nën drejtim italian dhe të Joint Force Command Norfolk nën drejtim britanik.

Të dyja këto komanda, deri më tani, drejtoheshin nga Shtetet e Bashkuara.

Vendimi synon ndarjen më të drejtë të barrës brenda Aleancës dhe rritjen e përgjegjësisë operative të vendeve evropiane, ndërsa Washingtoni ruan drejtimin e disa komandave kyçe ajrore, detare dhe tokësore.

Sa i përket KFOR, burimet zyrtare nuk paralajmërojnë ndryshim të menjëhershëm të misionit apo të komandimit të tij.

Megjithatë, pesha e këtij vendimi nuk qëndron vetëm te riorganizimi formal, por te domethënia që ai mbart për rajonet që historikisht kanë qenë nën ombrellën e drejtpërdrejtë amerikane dhe Ballkani është një prej tyre.

Komanda e Napolit ka qenë nyja përmes së cilës janë drejtuar operacionet në jug të Evropës dhe në Ballkan që nga fundi i luftërave të viteve ’90, ndërsa komanda e Norfolkut është nyja e sigurisë transatlantike në Atlantikun e Veriut.

Kur të dyja këto komanda kalojnë nga SHBA-të tek aleatë evropianë, mesazhi nuk është teknik, por strategjik.

Mesazhi është se Evropa duhet të mësojë të drejtojë sigurinë e vet pa Amerikën në krye të zinxhirit komandues.

Kjo nuk nënkupton tërheqje të menjëhershme amerikane, por nënkupton ndërtimin e një arkitekture ku prania amerikane nuk është më thelbësore për funksionimin e sigurisë në rajone si Ballkani.

Këtu lind pyetja e pashprehur publikisht. Çfarë ndodh me KFOR-in në një realitet ku Evropa merr përgjegjësinë e plotë operacionale. Dhe mbi të gjitha, çfarë ndodh me Camp Bondsteel?

Bondsteel ka qenë për më shumë se dy dekada simboli i garancisë amerikane për sigurinë e Kosovës dhe për ekuilibrin e frikës në rajon. Por nëse logjika e re e NATO-s është që Evropa mban barrën e sigurisë, atëherë arsyeja strategjike për një bazë të kësaj natyre fillon të zbehet.

Ballkani sot nuk prodhon më rrezik strategjik për fuqitë e mëdha, dhe për këtë arsye ai del nga lista e prioriteteve që kërkojnë praninë e drejtpërdrejtë amerikane.

Rajoni kalon nga faza e menaxhimit ushtarak në fazën e menaxhimit politik evropian.

Në këtë kuptim, ndryshimi i komandave në Napoli dhe Norfolk është një paralajmërim i qetë për një tranzicion më të gjerë. Një proces ku Evropa bëhet garantuese e sigurisë në hapësirat e saj, ndërsa Amerika largohet gradualisht nga roli i rojtarit të fundit.

Nëse kjo logjikë vijon, diskutimi për praninë amerikane në Bondsteel nuk do të vijë si pasojë e një krize, por si pasojë natyrale e një realiteti të ri strategjik, ku Ballkani nuk shihet më si vatër e mundshme shpërthimi, por si një kapitull i mbyllur i historisë së sigurisë evropiane.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *