Deklarata e fortë e Lorenc Vangjelit: Qeverinë e drejton Balluku, jo Rama
Lorenc Vangjeli ka komentuar situatën politike në vend, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”.
“Ishte e çuditshme që në mënyrë të pilotuar në një sërë mediash të rëndësishme të vendit u transmetua një auto-intervistë nga Bashkimi Evropian pikërisht për këtë çështje. Nuk ka pasur gazetarë shqiptarë të cilët kanë drejtuar pyetje atje, po ishin pyetjet dhe përgjigjet të ardhura gati-gati në mënyrë simultane në këto media.
E rrëfej këtë që më shumë sesa thelbi i asaj çka thoshte kjo intervistë, ishte pilotimi i një shqetësimi të BE-së për situatën në Shqipëri.
Kishte disa pika kryesore, njëra prej të cilave duke e konsideruar të anashkaluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të fundjavës, u mor me të nesërmen, çfarë do të ndodhë nesër. Pra, ke mbledhja e famshme e Komisionit të Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut ndaj zëvendëskryeministres Balluku.
Të gjitha këto të marra së bashku, duke i hyrë këtu edhe historisë, kam përshtypjen se bashkohen në tre pika.
E para, Shqipëria është sot, është në krizë, krizë morale dhe institucionale, është në kaos, madje një kaos i shkaktuar nga një pikë uji e vetme ku janë zhytur të gjithë dhe janë të gatshëm të mbyten, dhe mbi të gjitha në luftë për kohën. Të gjithë duket sikur tentojnë që atë çka është e pashmangshme ta shtyjnë sa më tepër në kohë.
Ajo që bie në sy këtu është ndryshimi i kursit të Edi Ramës dhe i ligjërimit të tij dhe asaj çka ai tenton të kumtojë. Duke shfrytëzuar dobësitë e natyrshme të sistemit të drejtësisë, sidomos atij të zakonshëm, atij që ka të bëjë me qytetarët e zakonshëm. Një mal problematikash që me kalimin e viteve janë shtuar dhe madje edhe thelluar, Rama e piketon këtë të drejtë të tij tek një çështje konkrete, që është ajo e zonjës Balluku”, tha Vangjeli.
I pyetur nëse Rama këtë ndryshim kursi, po e bën për Belindën apo e ka hallin e vet, Vangjeli iu përgjigj:
“Çështja ndaj zonjës Balluku është shumë e rëndësishme dhe në të gjitha rrethanat, Rama është i prekur prej saj. Madje është e prekur e gjithë qeverisja e tij. Sepse përtej të gjitha gjërave, është nga ato të vërteta të cilat nuk thuhen, por që i dinë të gjithë, ishte që Rama është zgjedhur nga shqiptarët për të qeverisur, ndërkohë që ai ia ka transferuar, ia ka deleguar, ose më saktë, ia kishte deleguar një gjë të tillë zonjës Balluku.
Me përditshmërinë e qeverisjes merrej zonja Balluku. Rama nuk ishte i pranishëm.
Rama ka qenë i shkëputur nga përditshmëria dhe e kishte lënë Ballukun. Dhe unë këtë e konsideroj gabimin më të rëndë. Për mua ky është mëkati…”.