28 Mars, 2026

Krahasimi i paarsyeshëm i Ramës me presidentin e Republikës

 Krahasimi i paarsyeshëm i Ramës me presidentin e Republikës

Nga Gjergj Erebara

Kryeministri Edi Rama argumentoi, mes të tjerash, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun autorizonte, në teori, gjykatën të pezullonte nga detyra presidentin e Republikës. Krahasimi është i pabazë për shumë arsye, por fillimisht duhet të shohim se si rrodhën ngjarjet deri këtu, deri në masën e sigurisë Pezullim nga Detyra për zëvendëskryeministren.

Balluku u mor e pandehur pa masë sigurie pas një hetimi që zbuloi se fituesi i tenderit për tunelin e Llogarasë ishte paracaktuar. Prokurorët zbuluan se tenderi i parë i tunelit, i cili kishte dhënë çmimin 140 milionë euro, ishte anuluar pa arsye për t’u përsëritur. Kur u përsërit, çmimi u rrit në 190 milionë euro, me një dëm për taksapaguesit në masën 50 milionë euro.

Balluku gjithsesi u mor e pandehur pa masë sigurie, gjë që do të thotë se ajo mund të vijonte punën si zëvendëskryeministre ndërsa procesi penal vijonte. Akuza për shkelje të barazisë në tenderë parashikon masë dënimi deri në 3 vjet burg dhe për rrjedhojë, nuk ka arsye për të marrë masë shtrënguese shtesë.

Prokurorët hetuan gjithashtu proceset e prokurimit të loteve të Unazës së Madhe, ku u zbulua, jo manipulimi i një procedure të vetme prokurimi, por manipulimi i disa procedurave. Duke qenë se aktiviteti i Ballukut në shkelje të rregullave të prokurimit rezultoi se ishte masiv dhe i përsëritur, prokurorët kërkuan dhe gjykata miratoi masën e sigurisë Pezullim nga Detyra. Kjo masë sigurie synon thjeshtë që nga njëra anë të mbrojë interesin legjitim të taksapaguesve nga abuzimet sistemike të parave të tyre përmes manipulimit të rezultatit të prokurimeve publike dhe nga ana tjetër, synon të heqë mundësinë që e pandehura të dëmtojë provat nga pozicioni që ka si ministre.

Prokurorët kërkuan heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut pasi grumbulluan fakte të tjera shtesë, konkretisht, presionin që ajo i bëri një dëshmitareje të prokurorisë nga posti i zëvendësministres.

Në këtë kontekst, nuk ka asgjë për t’u çuditur sa i përket përshkallëzimit të kërkesave të prokurorisë dhe vendimit të gjykatës.

Sa i përket krahasimit të Ramës, atë të supozimit se gjykata mundet të vendosë një ditë pezullimin nga detyra të Presidentit të Republikës, gjasat janë, për arsye praktike, që jo, kjo nuk ka për të ndodhur.

Ndryshe nga Ministri, Presidenti i Republikës është institucion ceremonial. Institucioni i Presidentit ka një buxhet të papërfillshëm dhe buxheti përbëhet pothuajse tërësisht nga shpenzime operative. Nëse Presidenti kapet duke manipuluar një tender, rreziku që ai përbën për interesin e tatimpaguesit është praktikisht zero për shkak se nuk ka një numër të lartë procedurash prokurimi me vlerë të lartë monetare që presin të manipulohen. Rrjedhimisht një masë sigurie Pezullim nga Detyra nuk do të ishte e arsyeshme dhe e justifikuar.

Rrjedhimisht, ndërsa është tërësisht e arsyeshme pezullimi nga detyra i një ministri, situata është krejt ndryshe me atë të një pushteti ceremonial si presidenca. Dhe tjetra është që institucioni i Presidentit është i vetmi në Shqipëri në të cilin personi është i njëjësuar me institucionin. Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri nuk ka zëvendëspresident dhe presidenti nuk ka funksione ekzekutive.

Çfarë mund të bëjë gjykata nëse, fjala vjen, kryeministri kapet duke manipuluar zgjedhjet nga pozicioni i kryeministrit, përveçse ta pezullojë atë nga detyra? A mos duhet ta lejojë që t’i manipulojë zgjedhjet për shkak të zupozimit të ndarjes së kompetencave?

Natyrisht që realiteti në Shtetin Shqiptar që nga themelimi ka qenë i tillë. Politikani ka qenë sundimtar i paprekshëm. Prokurorët kanë qenë dajaku që politikani kishte për të rrahur popullin dhe gjykatat kanë qenë instrumente të ushtrimit të pushtetit politik.

Ndryshimi në rastin e Ballukut është i madh dhe normalisht përbën një precedent. Ky precedent është i rëndësishëm. Është precedenti i sundimit të ligjit. Sundon ligji dhe jo kryeministri. Prokurorët nuk janë fuqizuar për të rrëzuar qeverinë dhe nuk mund të rrëzojnë qeverinë në diskrecion. Prokurorët mundet ta rrëzojnë çdo anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë kryeministrin, kur kanë prova për vepra penale. Prokurorët i nënshtrohen gjykatës. Gjykata i nënshtrohet gjykatës më të lartë, e cila i nënshtrohet gjykatës edhe më të lartë. Ky është shteti normal. Kryeministri i nënshtrohet ligjit dhe jo ligji, kryeministrit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *