Replikë me një të pandehur nga SPAK, që bën editorialistin në gazeta
Plarent Ndreca lëshoi një kushtrim për “Republikën e rënë”, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun. Me tone apokaliptike, ai përshkruan një realitet ku ekzekutivi është marrë peng nga gjyqësori dhe ku Kushtetuta është shkelur, jo nga veprimi, por nga “mosveprimi” i Gjykatës Kushtetuese.
Por, nëse e zhveshim shkrimin nga petku i rëndë i termave juridikë dhe frikës për “prishjen e ekuilibrave”, ajo që mbetet është thjesht një manifest për ruajtjen e status quo-së së pandëshkueshmërisë.
Analiza e z. Ndreca, ndonëse e kopsitur bukur retorikisht, çalon në tri shtylla kryesore, të cilat janë pikërisht ato që e mbajtën Shqipërinë peng për tre dekada. Thelbi i argumentit të Ndrecës është se një Ministër, si bartës i një funksioni kushtetues, nuk mund të preket (pezullohet) nga një gjyqtar i thjeshtë.
Kjo logjikë zbulon një mendësi feudale të veshur me kostum kushtetues. Sipas kësaj qasjeje, ministri nuk është një nëpunës i lartë i shtetit që i bindet ligjit, por një “i zgjedhur i shenjtë” që qëndron mbi procedurën penale.
Z.Ndreca harron qëllimisht se “pezullimi” nuk është shkarkim politik. Pezullimi është masë sigurie. Kur një ministër hetohet për korrupsion, ai nuk pezullohet sepse gjyqtari nuk pëlqen politikat e tij (kjo do ishte antikushtetuese), por sepse qëndrimi i tij në detyrë mund të prishë provat ose të rëndojë veprën penale. Të thuash që Kushtetuta e ndalon këtë, do të thotë të thuash që Kushtetuta është shkruar për të mbrojtur krimin brenda zyrave të shtetit.
Autori shpreh tmerr që një gjyqtar i vetëm mund të bllokojë një ministër. Ky “tmerr” është pikërisht thelbi i Reformës në Drejtësi. Në një Republikë funksionale, një gjyqtar i shkallës së parë, kur ka ligjin dhe provat me vete, është më i fuqishëm se kryeministri, pesidenti apo ministri. Kjo nuk është “varësi e ekzekutivit nga gjyqësori”, është Sundim e Ligjit.
Për vite me radhë, politika shqiptare u mësua të kontrollonte gjyqtarët. Tani që ekuacioni po përmbyset dhe gjyqtarët (të mbështetur nga SPAK) po kontrollojnë ligjshmërinë e politikanëve, kjo po shitet si “grusht shteti”.
Jo, z. Ndreca, ky nuk është deformim i Republikës; ky është normalizim i saj. Është e vështirë, madje e pamundur, të lexosh këtë analizë pa pasur parasysh kontekstin personal të autorit. Kur një zyrtar nën hetim për korrupsion shkruan se “pezullimi i ministrave është antikushtetues”, kjo nuk është më një analizë akademike; është një strategji mbrojtjeje.
Z.Ndreca flet për “imunitetin funksional” të deputetit dhe ministrit. Por imuniteti funksional ekziston për të mbrojtur opinionet politike dhe votën, jo për të shërbyer si mburojë kundër akuzave për vjedhje, shpërdorim detyre apo korrupsion.
Të barazosh hetimin për korrupsion me “ndërhyrjen në vendimmarrjen politike” është sofizëm i rrezikshëm. A po na thotë autori se vjedhja është pjesë e funksionit kushtetues të ministrit? Ndreca e mbyll me ironi: “Ta gëzojmë Republikën e Re!”, duke nënkuptuar një republikë të deformuar. Në fakt, po, le ta gëzojmë!
Nëse “Republika e Re” është ajo ku një gjyqtar ka guximin të pezullojë një ministër të fuqishëm sepse dyshohet se ka shkelur ligjin; Nëse “Republika e Re” është ajo ku imuniteti nuk është më biletë për të dalë pa lagur nga zullumet financiare; Nëse “Republika e Re” është ajo ku balanca e pushteteve nuk do të thotë “ti mos më prek mua, unë s’të prek ty”…
Atëherë, kjo është pikërisht Republika që qytetarët shqiptarë kanë kërkuar prej 35 vitesh. Ajo mund të jetë e frikshme për ata që kanë abuzuar me pushtetin, por është e vetmja shpresë për ata që duan të jetojnë në një shtet të së drejtës.
Kushtetuta nuk është bunker për politikanët, z. Ndreca. Ajo është kontratë për qytetarët. Dhe me vendimin (apo mosvendimin) e saj, Gjykata Kushtetuese thjesht konfirmoi se në këtë kontratë, askush nuk është mbi ligjin.