28 Mars, 2026

“Farsa shqiptare” e kryeministrit britanik

 “Farsa shqiptare” e kryeministrit britanik

Nga Marcus Taner

Shprehja shekspiriane “Beware the Ides of March” është një shprehje e zakonshme këtu, e huazuar nga drama e Shekspirit, Jul Cesari. Kuptimi është i thjeshtë: bëj kujdes! Telashet mund të jenë shumë pranë. Fatkeqësisht, Jul Cezari ynë, Keir Starmer-i, nuk do të ketë nevojë të presë deri në mars për ogurin e keq. Ai ka pasur mjaft telashe në janar dhe gjithçka tregon se do të ketë edhe më shumë në shkurt. Dyshoj se ai po mendon aq larg sa marsi.

Fitorja e tij dërrmuese zgjedhore është harruar prej kohësh; sot ai duket i rrethuar, me fronin që i lëkundet dhe që shikohet me oreks nga një kryelord provincial ambicioz – kryetari i bashkisë së Mançesterit – me sondazhet përtokë, ekonominë në ngecje dhe një zgjedhje të pjesshme të padëshiruar në horizont, gjë e cila e cila kërcënon t’i sjellë Partisë Laburiste edhe një tjetër poshtërim.

Por Keir-i e di mirë çfarë të bëjë kur armiqtë i afrohen: hipën në avion dhe shfaqet me poza shtetari sa më larg Mbretërisë së Bashkuar. Udhëtimet e fundit e kanë çuar në Amerikë, Davos, Ukrainë dhe së fundmi në Kinë. “Never here Keir” (“Keir-i kurrë këtu”) është bërë nofka e tij e re, duke iu referuar 38 vizitave jashtë vendit në vetëm 18 muaj në detyrë – pesë prej tyre vetëm në SHBA.

Mjerisht, ekspedita e fundit në Kinë prodhoi fotografi plot ngjyra ku ai shfaqej duke soditur me admirim roje të gjatë kinezë me uniforma ceremoniale, por jo shumë rezultate konkrete. Ai u kthye me një përfitim modest: disa premtime për investime në sektorin e shëndetësisë dhe një marrëveshje për të shitur më shumë uiski skocez tek adhuruesit kinezë të kësaj pijeje – jo pikërisht diçka që ndryshon lojën, përveç nëse të një miliard kinezët zhvillojnë papritur një pasion për këtë pije të famshme skocez. Daily Mail, gjithnjë armiqësore, ishte parashikueshëm therëse. Keir-it iu desh të kënaqej me një “udhërrëfyes të përulur” në Qytetin e Ndaluar, tallte gazeta, ndërsa Donald Trump pati një tur personal nga vetë presidenti Xi. O Zot i madh!

Vetëm një nga ato 38 ekspedita e çoi atë në Ballkan – një ndalesë dyditore në Tiranë në majin e kaluar, kushtuar përpjekjes për ta nxitur kryeministrin shqiptar Edi Rama të bëjë më shumë për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Qeveria britanike tha se dy liderët do të “trajtonin çështjen e dokumenteve të falsifikuara, dokumenteve të paligjshme dhe nxitësit që shtyjnë emigracionin”.

Por Rama qartazi nuk u impresionua nga ajo që e konsideroi si axhendë jo fort të fshehur të vizitorit – qendrat në vende të treta. Vetëm pak javë më vonë, ai i tha Guardian-it britanik se mendonte se Britania kishte rënë në “një vend shumë të errët” pas Brexit-it dhe e akuzoi Mbretërinë e Bashkuar se po kërkonte “vende ku të hedhë emigrantët”, duke iu referuar planeve shumë të përfolura, por ende të paqarta, për të gjetur vende të treta që do të shërbenin si të ashtuquajtura qendra kthimi për emigrantët e paligjshëm të deportuar.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë përmendur të gjitha në median britanike dhe në BBC, edhe pse asnjëra prej tyre nuk duket aspak e interesuar të zgjidhë problemin britanik të emigrantëve të padëshiruar. Pse Serbia nën Aleksandër Vuçiçin do të donte t’i bënte ndonjë nder të veçantë Britanisë, mbështetëse e Kosovës, mbetet për t’u hamendësuar.

Por harrojeni Serbinë. Edhe Shqipëria, për fat të keq për Keir-in, nuk ishte e gatshme të bashkëpunonte, pasi tashmë ishte angazhuar në këtë drejtim me Italinë. Dhe as skema e Giorgia Meloni-t për të zhvendosur jashtë vendit emigrantët e kapur në det nga Italia në një kamp në Gjadër, Shqipëri, për përpunim, nuk ka avancuar shumë, falë pengesave të pandërprera nga gjykatat italiane.

Çështja e emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, sidoqoftë, ka humbur në masë të madhe vrullin që nga momenti kur të dy vendet nënshkruan një marrëveshje ripranimi. Pas një rritjeje të fortë të azilkërkuesve shqiptarë në vitin 2022, kur numri arriti kulmin rreth 13 mijë, shifrat ranë ndjeshëm në vitin 2024 në vetëm 3 mijë. Përqindja e shqiptarëve mes të gjithë azilkërkuesve në Britani ra përkatësisht gjatë kësaj periudhe nga 17 në 3 për qind – një pikë në oqean krahasuar me numra shumë më të mëdhenj nga Afganistani, Eritrea dhe Siria, të cilët janë shumë më të vështirë për t’u kthyer dhe përbëjnë një çështje shumë më të nxehtë politikisht, sidomos për sa i përket krimit të dhunshëm të regjistruar.

Ekspedita shqiptare e Starmer-it nuk i solli asnjë titull pozitiv. Mail u tall me atë që e quajti “farsa shqiptare”, duke pretenduar se vizita e kishte lënë Starmer-in “të përdridhej nga sikleti”.

“Kryeministri shqiptar e ka bërë të qartë se nuk do të ketë qendra kthimi të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. Atëherë, cili ishte qëllimi i gjithë kësaj vizite?” pyeti, disi më me edukatë, ministri i Brendshëm në hije i opozitës konservatore, Chris Philip.

Pa dyshim, një nga arsyet e rënies së numrit të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar janë kontrollet më të rrepta. Një tjetër janë përvojat e këqija të shumë prej tyre kur mbërrijnë atje. Njëri prej tyre i tha BBC-së se periudha e tij e shkurtër në Britani – duke punuar në një fermë të paligjshme kanabisi – kishte qenë “e padurueshme”; megjithatë, duke qenë se ai e përshkroi jetën në Shqipëri si një “luftë për mbijetesë”, ishte e vështirë të thuhej se cila ishte më e keqe.

Tabloidët argëtohen me skandalin në Ballkan

Jo çuditërisht, duke pasur parasysh problemet e shumta të tjera të qeverisë, Ballkani ka rënë edhe më poshtë në axhendë që prej udhëtimit të dështuar në Shqipëri – nga një dukshmëri minimale, në pothuajse një padukshmëri totale.

Por mos u shqetësoni. Edhe nëse qeveria britanike e ka harruar praktikisht Ballkanin, tabloidët nuk e kanë bërë këtë. Për ta, rajoni mbetet një burim i sigurt historish që të prishin humorin për kriminelë emigrantë që terrorizojnë qytetet britanike, të përziera disi në mënyrë të çuditshme me reportazhe udhëtimesh që të bëjnë të ndihesh shumë më mirë – për parajsa të pazbuluara që ngjajnë si Barbadosi, por shumë më të lira!

Historia më e fundit që po zien nga Mali i Zi, për një juriste qeveritare që pretendon se një ish-zyrtar i lartë është përpjekur ta shantazhojë duke e kërcënuar se do të publikojë materiale intime komprometuese për të, ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e tabloidëve britanikë. Edhe pse, si zakonisht, Mail u kujdes të theksonte në titull se sa “joshëse” ishte gruaja në fjalë, sikur ky të ishte thelbi i çështjes.

Kemi bërë një rrugë të gjatë që nga fundi i shekullit XIX, kur një qeveri britanike mund të rrëzohej nga zemërimi publik për mënyrën se si trajtonte një çështje politike ballkanike tepër serioze. Qeveria konservatore e Benjamin Disraeli-t u rrëzua me bujë nga ai që u bë i njohur si “Agjitacioni bullgar” – një seri mitingjesh masive të udhëhequra nga liberalët kundër reagimit të dobët të Britanisë ndaj masakrave osmane në Bullgari në vitin 1876.

Kohët kanë ndryshuar – dhe horizontet e Britanisë janë ngushtuar. Historia tjetër e madhe nga Ballkani javën e kaluar, sipas Mail, mbante titullin: “Shqiptarë të pacipë shesin telefona celularë në rrjetet sociale”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *