28 Mars, 2026

Arben Malaj i shkruan Ramës: Jemi në gjyq për 320 milionë lekë, më propozo në Bankën e Shqipëri dhe tërhiqem

 Arben Malaj i shkruan Ramës: Jemi në gjyq për 320 milionë lekë, më propozo në Bankën e Shqipëri dhe tërhiqem

Arben Malaj, profesor dhe ish-ministër i Financave dhe Ekonomisë, i ka shkruar një letër Këshillit të Ministrave dhe ka kërkuar dhe ka kërkuar nga kabineti i drejtuar nga Edi Rama, që të propozohet për një mandat tjetër më Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

“Integritetin nuk e kam pasur dhe nuk do ta kem kurrë në shitje. Ky është thelbi i aplikimit tim pranë KM për KMBSH. Qëndrimet primitive dhe hakmarrëse të Kryeministrit personalisht nuk më shqetesojnë dhe nuk e zbehin aspak këtë parim”, shkruan Malaj.

Ish-ministri socialist është një ndër kritikët e mazhorancës socialiste dhe mënyrës sesi po qeverisë Edi Rama, ndaj në mandatin e parë në Bankën e Shqipërisë, Arben Malaj qëndroi vetëm dy vite.

Ai u shkarkua pas qëndrimit publik që mbajti në 2018 kundër mazhorancës socialiste. Prof. Dr. Arben Malaj ka shërbyer si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në periudhën korrik 2016 – nëntor 2018, kur Këshilli i Ministrave e pezulloi për shkak se “kishte shkelur etikën”.

Letra e tij mban datën 19 dhjetor 2025 dhe i drejtohet kabinetit të kryesuar nga Edi Rama, përmes së cilës ai kërkon që aplikimi i tij të merret parasysh, teksa shpalos edhe pesë argumente kryesore apo objektiva të tij, nëse zgjidhet.

Interesante është pika e dytë, në të cilën Arben Malaj thotë se është në prcese gjyqësore me shtetin shqiptar dhe sipas avokatëve, vlera e dëmshpërblimit që i takon është 320.000 euro apo 320 milionë lekë të vjetra, ndaj nëse përzgjidhet do të tërhiqet nga të gjitha.

“Së dyti, kurrë nuk do të dëshiroja që taksapaguesit e vendit tim të paguajnë qoftë edhe një cent në proceset gjyqësore. Sipas avokatëve, dëmshpërblimi i kërkuar do të ishte jo më pak se 320.000 (treqind e njëzet mijë) euro. Nëse përzgjidhem, që ditën e parë të fillimit të një mandati të ri në KMBSH, do të bëj tërheqjen nga çdo proces gjyqësor”, thuhet në letër ndër të tjera.

Kujtojmë se, dje Këshilli i Ministrave ka propozuar zyrtarisht dy kandidatura për gjashtë vendet vakante në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Bëhet fjalë për ish-ministrin Ervin Mete dhe kërkuesen e pavarur Jonida Prifti.

Sipas ligjit, kabineti i drejtuar nga Edi Rama ka të drejtë edhe për një propozim të tretë, por a do të jetë vallë ai, Arben Malaj?!

Në fund të dhjetorit 2025, përfundoi mandati i gjashtë prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke përfshirë zëvendësguvernatoren e parë, Luljeta Minxhozi dhe anëtarët Ridvan Bode, Suela Popa, Edlira Luçi, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: 5 anëtarë propozohen nga Kuvendi; 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; 1 anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *