Britania dërgon avionët luftarakë në Qipro pas rritjes së tensioneve
Britania e Madhe ka dërguar avionë luftarakë shtesë në bazën ajrore RAF Akrotiri në Qipro, për të forcuar sigurinë mes shqetësimeve se një sulm i mundshëm amerikan ndaj Iranit mund të çojë në një konflikt më të gjerë rajonal.
Gjashtë avionë F-35B u nisën nga baza RAF Marham më 6 shkurt dhe u dislokuan në Qipro për të mbrojtur bazën dhe zonat sovrane britanike në ishull, raporton The Times.
Avionët e rinj do të operojnë krah Typhoon-ëve të RAF-it që janë tashmë të vendosur në Akrotiri dhe që kryejnë misione mbi Irakun dhe Sirinë.
F-35-t janë vendosur në një rol mbrojtës, ndërsa Typhoon-ët janë pjesë e përhershme e Operacionit Shader, misioni britanik kundër mbetjeve të grupit ekstremist ISIS.
Forcimi i pranisë ajrore në Qipro vjen pas një dislokimi tjetër në rajon muajin e kaluar, kur katër avionë Typhoon u dërguan në Katar me kërkesë të autoriteteve vendase, për shkak të rritjes së tensioneve rajonale.
Vendimi i Londrës merret në një moment kur SHBA dhe Irani kanë dhënë sinjale të përziera për ulje tensionesh, pas zhvillimit të bisedimeve mes palëve, ndërsa njëkohësisht vazhdon një grumbullim i ndjeshëm forcash ushtarake në Lindjen e Mesme.