Fredi Beleri: Vë bast që investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, nuk do bëhet
Fredi Beleri e sheh të vështirë realizimin e investimeve në Sazan dhe Zvërnec. Në një intervistë për MCN TV, ai u shpreh se shkak mund të bëhet ngërçi pronave.
“Është një zhvillim shumë i mirë dhe deri tani nuk ka asnjë euro investim të huaj në Shqipëri. Këta investitorë janë shumë strikt me procedurat.
Shteti shqiptar qëkur u hapën kapitujt e parë u zotua para vendeve të BE që në 2028 do të përfundonte regjistrimin e pronave dhe në 2030 do të ishin shpërndarë certifikatat. Nuk shikoj të jenë bërë hapa para. Pa tokë dhe pronë nuk ka zhvillim. Deri tani nuk ka asnjë euro të huaj të fushën e turizmit.
Do të vija një bast që as ky investim nuk do të bëhet. Problem i tokave, problemi i pronës është një problem që shpresoj që qeveria ta ketë marrë seriozisht dhe brenda kuadrit kohor që ka firmosur me BE të mbarojë ky ngërç i madh që po i lodh shqiptarët që nga vitet ’60.
Në Bashkinë e Himarës janë regjistruar vetëm 20% e pronave. Në të gjithë Shqipërinë vetëm 50%”, tha ai.
Beleri u ndal edhe te zhvendosja e Kadastës së Vlorës në Tiranë, e cila sipas tij do të bëhet kosto për qytetarët pasi e-Albania nuk funksionon.
“Kadastra e Vlorës ishte një nga më problematiket në Shqipëri. Rama tha që nuk ka të bëjë ku do të jetë kadastra se shërbimet merren nga e-Albania. Kjo nuk punon gjysmën e muajit. Do të vështirësohet akoma më shumë procesi i dhënies së titujve të pronësisë.
Mendoj që kjo e vështirëson aksesin e qytetarëve në shërbim. E-Albania nuk funksionon. Unë nuk kam asnjë qytetar që merr titull pronësie pa vajtur në sportel, pa pasur një mik. Kur janë ndarë titujt e pronësisë është gjithmonë kryeministri i pranishëm”, tha Beleri.
Beleri u pyet edhe në lidhje me pronat e kryeministrit në bregdet.
“Unë di që familjarët e zotit Rama janë nga bregdeti. Si çdo himariot duhet të ketë prona. Por në Himarë nuk ka pasur pasanikë të mëdhenj dhe nuk ka njeri që të ketë pasur 250 ha. Kam dëgjuar Ramën që thotë nuk i kam marrë as për vete. Ky nuk është justifikim, është dobësi e shtetit shqiptar”, u shpreh ai.