Blendi Fevziu: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrëzuar Ballukun, por vetë Ramën
Gazetari Blendi Fevziu, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama për pezullimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas
Fevziut, çështja në gjykatë nuk kishte në qendër të saj pezullimin e Ballukut, por faktin se me vendimin e fundit i jepet e drejtë kushtetuese SPAK-ut t’i kërkojë Gjykatës së Posaçme dhe më pas kjo e fundit të vendosë për pezullimin e ministrave që janë nën hetim.
Fevziu u shpreh se nga ky moment edhe kryeministri mund të pezullohet nga gjykata mbi bazën e fakteve që dërgon prokuroria.
“Në orët e para të mëngjesit u njoha me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në çështjen që përballte qeverinë shqiptare me SPAK-un, për rastin Balluku.
E mora vesh me vonesë sepse kam ndryshim kohësh, jam në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit në këtë moment. Pjesa më e madhe e lajmeve që lexova, sidomos ato që lexova në rrjetet sociale, krijojnë një lloj konfuzioni sepse flasim për pezullim të Ballukut.
Në fakt çështja nuk bënte fjalë, ose nuk kishte në qendër të saj pezullimin e Ballukut. Natyrisht që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, por problemi kryesor është që që nga ky moment me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pra ka të drejtë kushtetuese SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme, pra SPAK-u t’i kërkojë dhe Gjykata e Posaçme të vendosë, pezullimin e çdo ministri që është nën hetim dhe ka fakte të mjaftueshme që ka kryer vepra korrupsioni apo vepra të tjera penale.
Natyrisht që është gjykata që e vlerëson këtë, por që nga ky moment çdo ministër i qeverisë shqiptare, përfshirë edhe kryeministrin, mund të pezullohen nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK-ut mbi bazën e fakteve që SPAK do të dërgojë. Nuk është një pezullim i Ballukut, por është një dritë jeshile për të pezulluar çdo ministër të qeverisë shqiptare duke përfshirë edhe kryeministrin me vendim të Gjykatës së Posaçme”, tha Fevziu.