Kina prezanton armën e frikshme
Studiues kinezë kanë zbuluar atë që e cilësojnë si sistemin më të fuqishëm kompakt të armëve me mikrovalë në botë, një zhvillim që mund të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në hapësirë dhe fushën e luftës elektronike.
Pajisja, e quajtur TPG1000Cs, është zhvilluar në Institutin Veriperëndimor të Teknologjisë Bërthamore (NINT) në Xian, provinca Shaanxi.
Sipas një artikulli të publikuar në South China Morning Post, TPG1000Cs është driver-i i parë kompakt në botë për armë me mikrovalë me fuqi të lartë (HPM), i aftë të gjenerojë deri në 20 gigavat energji për një kohëzgjatje prej 60 sekondash – një arritje e paprecedentë në këtë fushë.
Pajisja është rreth katër metra e gjatë dhe peshon vetëm pesë tonë, duke e bërë të përshtatshme për t’u montuar në kamionë ushtarakë, anije luftarake, avionë apo potencialisht edhe satelitë. Kjo e dallon ndjeshëm nga sistemet ekzistuese, të cilat janë më të mëdha dhe mund të funksionojnë vetëm për pak sekonda.
Për krahasim, sistemi rus Sinus-7 mund të operojë vetëm për rreth një sekondë, duke lëshuar afërsisht 100 impulse për çdo cikël, ndërsa peshon rreth 10 tonë. Ndërkohë, TPG1000Cs mund të lëshojë deri në 3,000 impulse me energji të lartë në një seancë të vetme.
Rrezik potencial për Starlink
Ekspertë kinezë vlerësojnë se një armë mikrovalore tokësore me fuqi mbi 1 gigavat mund të çrregullojë ose dëmtojë seriozisht satelitët Starlink, që operojnë në orbitë të ulët rreth Tokës. Kina ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se konstelacioni Starlink i SpaceX përbën kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.
Në këtë kuadër, studiuesit ushtarakë kinezë po zhvillojnë atë që përshkruhen si armë “vrasëse të Starlink”, duke përfshirë sisteme me mikrovalë me fuqi të lartë dhe armë lazer, të cilat do të ofronin një mënyrë relativisht më të lirë për të neutralizuar rrjete të mëdha satelitore.
SpaceX, nga ana e saj, ka ulur lartësinë orbitale të satelitëve Starlink për të reduktuar rrezikun e përplasjeve, por kjo lëvizje i bën ata më të cenueshëm ndaj armëve me energji të drejtuar nga toka.
Inovacion teknologjik dhe prova stabiliteti
Sipas studimit të botuar në revistën shkencore kineze High Power Laser and Particle Beams, ekipi i drejtuar nga Wang Gang, nga Laboratori Kyç për Shkencën dhe Teknologjinë e Mikrovalëve me Fuqi të Lartë në NINT, ka realizuar disa risi të rëndësishme inxhinierike.
Studiuesit zëvendësuan çelikun me rezistencë të lartë me aliazh alumini, duke ulur peshën e sistemit me rreth një të tretën. Gjithashtu, ata projektuan pllaka izoluese me brazda të valëzuara, të cilat zgjasin rrugën e rrjedhës elektrike dhe reduktojnë rrezikun e shkarkimeve të padëshiruara.
Një tjetër risi ishte përdorimi i një strukture me dy forma “U” për ruajtjen e energjisë, që lejon energjinë të qarkullojë brenda sistemit dhe të arrijë të njëjtën performancë në gjysmën e hapësirës së nevojshme për dizajnet tradicionale.
Sipas autorëve, TPG1000Cs ka kryer tashmë mbi 200 mijë impulse operative, duke treguar stabilitet dhe besueshmëri të lartë, çka hap rrugën për vendosjen e tij në platforma të ndryshme.
Analistët vlerësojnë se, nëse Kina vendos ta vërë në përdorim këtë teknologji edhe në hapësirë, goditjet e padukshme me mikrovalë do të bëheshin edhe më të vështira për t’u zbuluar dhe neutralizuar. Kjo do të shënonte një përshkallëzim të ri në garën për dominim teknologjik dhe ushtarak në orbitën e ulët të Tokës.