BE ultimatum Ramës për Ballukun? Aludimet me një SMS në telefonin e kryeministrit dhe një bisedë me kopshtarin grek
Bashkimi Evropian do të zhbëjë gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë për në BE, nëse Edi Rama vijon deri në fund të mbrojë me imunitet Belinda Ballukun.
Kështu pretendon Hashtag.al, në një shkrim që është botuar edhe nga portale të tjera.
Sipas shkrimit, të enjten e 29 janarit 2026, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i shkoi një SMS në telefonin celular: “COELA doli me qëndrim zyrtar, më vjen keq”.
Miku që e informonte e kishte paralajmëruar më herët atë se atje tej në Berlin, qeveria gjermane ishte tepër e shqetësuar mbi mbrojtjen arbitrare që Rama po i bënte Belinda Ballukut.
COELA është një grup pune i ministrave për Evropën të shteteve anëtare të BE-së. Ky grup shqyrton ecurinë e shteteve që synojnë anëtarësim, si Shqipëria.
“E gjithë iniciativa për ndëshkimin e Shqipërisë në COELA është e nxitur nga qeveria gjermane, ata janë seriozisht të shqetësuar mbi mënyrën si Edi Rama po sulmon drejtësinë dhe po shkërmoq institucionet për mbrojtjen e ministres Balluku.
Kjo iniciativë e gjermanëve është mbështetur fuqimisht nga qeveria e Austrisë, Belgjikës, Holandës etj, ndërsa qeveria italiane, franceze dhe greke mbajtën një qëndrim më neutral në takim. Por nuk ka asnjë rëndësi kjo për sa kohë që dhe një shtet si Bullgaria mund të vendosë veton kundër Shqipërisë, e për më tepër Gjermania është lokomotiva e BE-së”, shkruan portali, që thotë se iu referohet burimeve nga BE.
“Në mbledhjen e COELA është vendosur që nëse Rama do mbrojë imunitetin e Ballukut, BE-ja do dalë me vendimin e paprecedentë për të zhbërë gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. I bie që do jetë ndëshkim ekzemplar, i ashpër, i pari në llojin e vet. Kryeministri juaj e di shumë mirë këtë gjë siç unë po e them”, vijon shkrimi, duke iu referuar këtij burimi.
Le ta marrim të mirëqenë këtë për një moment dhe sit ë vërtetë!
Çfarë ndodh më pas?
Autori i shkrimit flet për një udhëtim të Belinda Ballukut dhe di edhe çfarë ka biseduar ajo me një kopshtar.
“Në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë, ministren e Energjisë Belinda Balluku e ftoi në një ishull në Greqi një shtetas izraelito-amerikan, ai quhet Ron Yeffet.
Atje në ishullin grek ishte ndërtuar një resort vilash luksoze, ndërsa Yeffet i tha Ballukut se disa prej vilave ishin të tijat, përfshirë dhe vilën ku do qëndronte ajo.
Balluku shkoi. Të nesërmen në mëngjes ndërsa ishte me një tas kafeje në dorë, në oborrin e vilës, Balluku e cila e flet rrjedhshëm gjuhën greke, nisi të bisedonte me kopshtarin grek. E ndër të tjera e pyeti atë dhe për mikun izraelito-amerikan që e kishte ftuar, e pyeti se sa vila posedonte miku i saj i ri.
Kopshtari grek i nguli sytë i habitur Ballukut dhe i tha se zoti Yeffet nuk posedon asnjë vilë dhe se i kishte marrë vilat me qira veç për atë fundjavë.
Balluku e kuptoi se ishte mashtruar dhe manipuluar, ajo vuri në dijeni dhe Edi Ramën duke i këmbëngulur se Yeffet ishte një mashtrues ordiner, por Rama i bëri të ditur asaj se Yeffetin do e mbante pranë”, thuhet në shkrim.
Që këtu, bie çdo llogjikë dhe edhe nëse shkrimi ka ndonjë të vërtetë, vështirë se mund të merret seriozisht. (Thuaje.al)