Rruga drejt BE-së: A pati efekt “kërcënimi për bashkim kombëtar” mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian rrallëherë ka ndjekur një trajektore lineare – përkundrazi, procesi është shoqëruar nga kalkulime politike dhe manovra diplomatike që shpesh shkojnë përtej kornizës formale të zgjerimit të BE-së.
Një studim i fundit i iniciativës Geo-Power, që synon të forcojë aftësinë e BE-së për të menaxhuar sfidat e sigurisë, zbulon se aktorët politikë të rajonit nuk janë pasivë ndaj kushteve, duke qenë se edhe ata shpesh përdorin “mjete presioni” ndaj BE-së.
Në këtë kontekst, autori i studimit, Nikolaos Tzifakis, identifikon dy raste të “kundërkushtëzimit” të përdorur për të ndikuar në ritmin e zgjerimit: kërcënimi i Serbisë për të qëndruar krah Rusisë dhe ai i Kosovës/Shqipërisë për të çuar përpara idenë e bashkimit kombëtar në rast të ngecjes në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Tzifakis veçon kohën kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi, lidhën perspektivën e bashkimit të dy vendeve me procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar “alternativë potenciale ndaj derës së mbyllur” të BE-së.
Madje, në prill të vitit 2018, kryeministri Rama i propozoi homologut kosovar, Ramush Haradinaj, që të hartohej një dokument strategjik që do të shërbente si udhërrëfyes për të përcaktuar hapat drejt bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës deri në vitin 2025.
Megjithatë, sipas tij, retorika e tyre nuk kishte mbështetje të gjerë politike – as brenda vendit, mes aktorëve kryesorë, dhe as jashtë, nga komuniteti ndërkombëtar – dhe kështu nuk prodhoi asnjë rezultat në procesin e anëtarësimit në BE.