72-vjeçarja shqiptare që sfidon moshën
Edhe pse shumë prej nesh e shtyjnë fillimin e palestrës apo aktivitetit fizik, për ish-mësuesen Sina Demiri Bërdufi, kjo është bërë pjesë e pandashme e jetës së saj, edhe në moshën 72-vjeçare. Ajo ka nisur rutinën e palestrës rreth dy vjet më parë, por aktivitetin fizik e praktikon prej mbi 20 vitesh.
Në një intervistë për emisionin “Shijë Shtëpie”, Sina rrëfeu se ka provuar gjithçka: ecje, vrap, hiking, por palestra ka fituar zemrën e saj.
“Edhe kur shkoja në shkollë, ngrihesha herët në mëngjes dhe bëja një orë ushtrime para se të nisesha me autobus për punë. Pastaj vazhdova aktivitetin në Itali dhe në Amerikë, ku ecja dhe vrapoja kilometra të tërë. Kur u ktheva këtu, nuk doja të rrija pa bërë asgjë, kështu që fillova palestra,” tha ajo.
Sina thekson se aktiviteti fizik nuk i sjell vetëm shëndet të mirë, por edhe kënaqësi dhe energji. “Vij në shtëpi, pi kafen rehat, merrem me punët e shtëpisë dhe pastaj dal prapë në qytet. Është plogështi të rrish në divan,” shtoi ajo me humor.
Megjithatë, rruga drejt një jete aktive nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ajo ka pasur përplasje me shoqet e saj, të cilat nuk e ndjekin të njëjtën rutinë. “Në fillim më shqetësonte që nuk vinin, por tani nuk më shqetëson më. Secili zgjedh jetën e vet,” u shpreh zonja.
Për të rinjtë, Sina ka një mesazh të qartë: të fillojnë të lëvizin dhe të përfshihen në aktivitete fizike. Sipas saj, kjo nuk është vetëm për trupin, por edhe për shpirtin dhe për jetën e përditshme.